Nasim Haradinaj ka reaguar lidhur me përkujtimin e Betejës së Koshares, duke thënë se kjo betejë mbetet një nga kapitujt më të ndritur të historisë moderne të Kosovës, por sipas tij, në vitet e fundit është përdorur për interesa të ngushta politike dhe personale.
Ai thekson se Kosharja ishte më shumë se një përballje ushtarake, duke e përshkruar atë si një akt sakrifice, besimi dhe uniteti kombëtar, ku luftëtarët u bashkuan për një ideal të vetëm – lirinë.
Sipas Haradinajt, edhe pas 27 vitesh nga beteja, kujtesa për të vazhdon të jetojë te qytetarët, por përkujtimet shpesh janë shndërruar në hapësirë protagonizmi për individë që, siç thotë ai, nuk kanë pasur rolin apo meritën për të përfaqësuar atë sakrificë.
Reagimi i plotë:
Beteja e Koshares mbetet një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë moderne – një moment kur bijtë e këtij vendi, pa dallim bindjesh, u bashkuan për një ideal të vetëm: lirinë. Ajo nuk ishte thjesht një përballje ushtarake, por një akt sakrifice, besimi dhe uniteti kombëtar që theu kufijtë fizikë dhe psikologjikë të kohës. Edhe pas 27 vitesh, kjo betejë vazhdon të jetojë në kujtesën kolektive. Por, krahas nderimit të merituar, është krijuar një realitet shqetësues: përdorimi i saj për interesa të ngushta politike dhe personale. Disa individë, që sot shfaqen si zëra dominues në përkujtimet publike, kanë kaluar nëpër disa parti politike, duke e përshtatur qëndrimin sipas interesit të radhës. Kjo nuk do të ishte problem nëse do të shoqërohej me integritet dhe qëndrueshmëri, por shpesh është shoqëruar me deformim të së vërtetës. Në këto 27 vite, kanë marrë fjalën edhe njerëz vërtet meritorë, luftëtarë e dëshmitarë të drejtpërdrejtë të asaj kohe. Por realiteti është se në shumë raste, shumica e folësve – shpesh deri në 90% – nuk kanë pasur as peshën e as meritën për të përfaqësuar atë sakrificë. Kjo ka krijuar një zhurmë të madhe, ku zërat autentikë janë mbuluar nga ata që kërkojnë vëmendje apo përfitim. Madje, në këtë klimë janë ngritur dhe legjitimuar figura që më shumë i përkasin tregimeve të dyshimta sesa historisë së vërtetë. Ka rrëfime që flasin për njerëz që sot mbajnë statusin e veteranit, ndërkohë që në të kaluarën janë përmendur për veprime që nuk kanë lidhje me luftën dhe sakrificën. Si rezultat të ketyre shtrembërimeve sot kemi edhe si veteran njeriun e fshatit Gegaj ku për një aksident që i ësht vrarë qeni nga ekspedita vezhguese e UÇK-së është dashur të i paguhën 900 Dm. E që ja ka paguarë Sali Çeku – një figurë që sot nderohet si hero, pasi që nuk mund arrinte kompromisë sepse zotrija betohëj se do e shpaguante me dy koka kosovarësh. Këto kontraste tregojnë sa larg mund të shkojë shtrembërimi i realitetit. Po aq shqetësuese është fakti që ende nuk është thënë e plotë e vërteta për zanafillën e këtij fronti, për mënyrën e organizimit për djemtë e Tropojës që nisën sulmin apo pushkën e parë të kësaj beteje dhe për mënyrën e emërtimit të kësaj brigade që operoi aty. Historia është lënë shpesh në dorë të interpretimeve të pjesshme, duke krijuar një narrativë që nuk i shërben as së vërtetës dhe as respektit ndaj atyre që sakrifikuan gjithçka. Shkojnë aq largë sa mburrën me filmin që ka krijuarë Serbija për betejën e Koshares sikur ta kishin realizuar për të mirën ton e jo për të kundërtën….! Kosharja nuk i përket askujt veç popullit dhe historisë. Ajo nuk duhet të jetë arenë për protagonizëm artificial apo për rishkrim sipas interesit. Çdo shtrembërim i saj është një padrejtësi ndaj të rënëve dhe një mashtrim për brezat që vijnë. Prandaj, përgjegjësia jonë sot është më e madhe se kurrë: të ruajmë të vërtetën, të dallojmë zërin autentik nga ai i rremë dhe të mos lejojmë që sakrifica e një brezi të përdoret si mjet për ngritje personale. Vetëm kështu, edhe pas dekadash, Beteja e Koshares do të mbetet simbol i dinjitetit dhe jo i manipulimit.