Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës sqarime lidhur me vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke ngritur pikëpyetje për efektet reale të kësaj mase, kompanitë që do të preken dhe vlerën e energjisë së tregtuar deri më tani.
Mustafa ka rikujtuar se përfaqësues të Qeverisë, përfshirë ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë mohuar vazhdimisht importin e energjisë elektrike nga Serbia, ndërsa vendimi i fundit për ndalimin e tregtimit me kompani serbe, sipas tij kërkon sqarime për mënyrën se si është realizuar ky tregtim deri më tani.
Ai ka ngritur pyetjen nëse masa e Qeverisë e ndalon realisht importin e energjisë së prodhuar në Serbi apo vetëm tregtimin me kompanitë serbe, duke theksuar se mbetet e paqartë nëse kompani nga vende të tjera mund të sjellin energji elektrike të prodhuar në Serbi në Kosovë.
“Dhe këtu janë dy pyetje të rëndësishme që duhet të shtrohen. E para është kjo masë a e ndalon me të vërtetë importin e energjisë nga Serbia apo jo? Për shkak se masa flet për ndalimin e tregtimit me kompani serbe, po do të thotë kjo që mund të ketë kompani jo serbe të cilat mund ta sjellin energjinë e Serbisë në Kosovë? Kjo është pyetje që kërkon përgjigje nga Qeveria. Dhe tjetra është që duhet ta dimë se cilat paskan qenë ato kompani serbe që paskan furnizuar Kosovën me energji deri më tani. Për shkak se nëse ndalon diçka duhet parë se çka po ndalohet. Dhe ne sot duhet ta dimë se cilave kompani që paskan qenë duke operuar deri tani në Kosovë po i ndalet operimi apo bashkëpunimi me to, dhe po ashtu sa ka qenë vlera e energjisë që është tregtuar deri më tani me këto kompani serbe të cilave tani po ju ndalojka operimi në Kosovë”, tha Mustafa për Ekonomia Onlina.
Deputeti i PDK-së ka kërkuar gjithashtu të bëhet e ditur se sa do të jetë ndikimi real i këtij vendimi ndaj Serbisë dhe nëse masa do të ketë karakter ndëshkues për shkak të bllokimit të kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën.
“Pra këto janë përgjigje që duhet dhënë përgjigje, për shkak se ne duhet ta dimë cilat do të jenë masat apo efektet reale të këtij vendimi. A ka ky vendim efekt real dhe a ka sa do të jetë ndëshkues kjo për Serbinë? Për shkak se nuk ka kuptim nëse paraqitet një masë si masë ndëshkuese për Serbinë, e në realitet nuk e ndëshkon. Pra ne duhet ta dimë sa me të vërtetë do të ndëshkohet Serbia për bllokimin e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën. Përndryshe, ne pajtohemi që duhet të ketë reciprocitet për shkak se Serbia ka bllokuar kapacitetet ndërkufitare me Kosovën dhe me këtë i ka shkaktuar kosto të mëdha Kosovës dhe qytetarëve të saj të cilat në fund janë pasqyruar në faturat e energjisë elektrike”, potencoi ai.
Deputeti nga Gjilani ka kritikuar Qeverinë për vonesën në reagimin ndaj bllokadës së Serbisë e cila sipas tij është në fuqi që nga viti 2020.
“Hera e fundit është kur Komuniteti i Energjisë i ka dhënë afat deri në korrik të këtij viti Serbisë që t’i lirojë këto kapacitete, mirëpo masat e qeverisë së Kosovës nuk janë marrë edhe pesë muaj pas kalimit të këtij afati. Pra, duhet të kemi një qartësi më të madhe se pse Republika e Kosovës ja lejoi Serbisë t’ia imponojë këtë bllokadë Kosovës pa një përgjigje reciproke të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë. Pse nuk u ndalua tregtimi me kompani serbe që nga viti 2020, por u lejua gjithë kjo periudhë, gjithë ky import i energjisë elektrike dhe me shuma të mëdha nga Serbia pa ndonjë masë reaguese ndaj vetë Serbisë?”, theksoi ai.
Sipas Mustafës, në rast se nuk do të ekzistonte kjo bllokadë, Kosova do të kishte mundësi të blinte energji në një treg më konkurrues dhe potencialisht me kosto më të ulët.
“Pamundësimi i bartjes së energjisë elektrike përmes Serbisë e ka vështirësuar shumë qasjen e Kosovës në tregjet evropiane për të blerë energji. Sikur të mos ishte bllokada serbe, Kosova do të mund të kishte qasje për me blerë energji në një treg më konkurrues dhe me shumë mundësi edhe me kosto më të lirë. Por bllokada nga Serbia ka detyruar Kosovën që të gjejë alternativa të tjera. Mirëpo kjo bllokadë ka qenë që gjashtë vite dhe ne është dashur të kemi një përgjigje ndaj kësaj bllokade. Kjo përgjigje e jona po vjen me vonesë prej gjashtë viteve, dhe kur po vjen si përgjigje ende nuk e dimë se sa do të vendosë presion mbi Serbinë”, potencoi ai.

