Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka kritikuar shumicën parlamentare pasi, sipas saj, deputetët e pushtetit votuan kundër amendamentit të saj për ndërtimin e një Qendre të Kujdesit Paliativ.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu-Shoshi ka bërë të ditur se kërkesën për ndërtimin e kësaj qendre e paraqet vazhdimisht që nga viti 2021 sa herë që në Kuvend diskutohet buxheti
Ajo ka propozuar ndarjen e katër milionë eurove për këtë projekt, duke theksuar rëndësinë e kujdesit paliativ për pacientët që përballen me sëmundje progresive dhe të pashërueshme.
Deputetja e PDK-së ka kritikuar edhe atë që e cilësoi si solidaritet simbolik me pacientët me kancer, duke e lidhur paraqitjen e deputetëve me shalle rozë gjatë seancës me votimin kundër amendamentit të saj.
“Pacientët nuk kanë nevojë vetëm për simbole, fotografi dhe fjalë të bukura. Ata kanë nevojë për shërbime shëndetësore, për kujdes paliativ, për lehtësim të dhimbjeve dhe për dinjitet në momentet më të vështira të jetës”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Ajo ka theksuar se solidariteti duhet të shprehet edhe përmes veprimeve konkrete dhe mbështetjes për shërbimet shëndetësore që u nevojiten pacientëve.
“Shalli rozë është simbol. Por vota në Kuvend është përgjegjësi”, ka deklaruar deputetja.