Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka bërë të ditur se është vendosur kontroll 100 për qind për çdo dërgesë të mishit nga Brazili, pas dyshimeve për parregullsi me etiketat e afatit të përdorimit të mishit të destinuar për Kosovë
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka ngritur shqetësimin për sigurinë e ushqimit që u ofrohet qytetarëve.
Duke folur për rastin e mishit të bllokuar nga autoritetet e Malit të Zi në Portin e Tivarit, Muja ka thënë se institucionet e Kosovës kanë intensifikuar kontrollet dhe po verifikojnë dërgesat e importuara nga Brazili.
“Kemi vendosur 100% kontroll të dërgesave të mishit nga Brazili në saje të lajmërimit të Bashkimit Evropian që Brazili do të hiqet nga lista e establishmentëve të aprovuara. Më 29 shtator, ne kemi pranuar informacionet e para të cilat konfirmojnë dyshimet që i kanë autoritetet se në këto disa dërgesa ka pasur ose ka dyshime për ndërrim të etiketave. Deri më tani, këtë informacion e kemi nga autoritetet e Malit të Zi. Megjithatë, unë dëshiroj t’ju informoj që paralelisht dhe pa marrë parasysh veprimet e Malit të Zi e raportin zyrtar për të cilin po e presim zyrtarisht, që nga shtatori kemi urdhëruar 100% kontroll të çdo dërgese. Që nga shtatori ka kontrolle më të intensifikuara, ndoshta më të mëdha, ndonjëherë brenda tregut. Gjithashtu, është nisur kontroll-verifikimi prej janarit deri më 5 shtator i çdo dërgese. 1,446 dërgesa të mishit nga Brazili janë duke u verifikuar një nga një. Inspektohet çdo operator ekonomik; operatori Apetit është një nga operatorët e mëdhenj, por 60% e importeve nga operatorë të tjerë dhe ato po verifikohen një nga një”, tha Muja.
