Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë dhe videon e një personi të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e tij.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 11 shtator 2026, në rrugën “Qamil Ilazi”, në Ferizaj.
Me autorizim të prokurorit të shtetit, policia ka bërë publike pamjet e personit që dyshohet të jetë i përfshirë në rast.
“Personi i dyshuar, me qëllim përvetësimin e pasurisë së huaj, në mënyrë të kundërligjshme, ia ka marrë pasurinë e luajtshme personit tjetër, të cilit i kishte rënë kuleta”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin apo lokalizimin e të dyshuarit, t'i raportojnë ato përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
Sipas policisë, të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë, ndërsa bashkëpunimi i qytetarëve konsiderohet i rëndësishëm për zbardhjen e rastit./