Pas përfundimit të masës për përcaktimin e çmimit tavan të derivateve, disa prej kompanive më të mëdha të naftës në Kosovë kanë rritur menjëherë çmimet për rreth 4-5 centë, duke e vendosur çmimin e një litri naftë duke shkuar deri në 1.82 euro.
Rritja e njëkohshme dhe në të njëjtën vlerë nga disa operatorë ka ngritur pikëpyetje nëse tregu i derivateve po funksionon në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë.
Por nga Ministria kanë thënë se janë duke u monitoruar çmimet.
Në një përgjigje për IndeksOnline, MINT ka bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon me inspektime të përditshme lidhur me çmimet e derivateve të naftës.
“Edhe pas përfundimit të masës së përcaktuar me vendimin për çmimin tavan, IQMT-ja është duke monitoruar dhe analizuar në vazhdimësi çmimet e derivateve, duke i krahasuar të dhënat e siguruara nga Dogana e Kosovës me çmimet aktuale të evidentuara gjatë inspektimeve në treg”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
MINT ka deklaruar se, përmes krahasimit të çmimeve të furnizimit me çmimet e shitjes të evidentuara tek operatorët ekonomikë me shumicë dhe pakicë, do të vlerësojë nëse ka pasur abuzim me çmime.
“ Në rast se konstatohet abuzim me çmime, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit do ta marrë në konsideratë rikthimin e vendimit për përcaktimin e çmimit tavan për derivatet e naftës”, ka bërë të ditur MINT.