Para se të emërohej ministre në Qeverinë e Serbisë në vitin 2025, Snezhana Paunoviq merrte pagë si deputete, por edhe si drejtoreshë e Institucionit Farmaceutik të Pejës në Kosovë.
Ky institucion, me seli në Gorazhdec, nuk ekziston zyrtarisht që nga viti 2021.
Radio Evropa e Lirë konstatoi se ai është mbyllur më 7 tetor 2021, me vendim të Qeverisë së Serbisë.
Se farmacia nuk ekziston më, e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe gazetari i Radio Gorazhdecit, Damjan Portiq.
Kërkesën për ta fshirë nga regjistri i institucioneve shëndetësore në vitin 2021 e kishte dorëzuar vetë Paunoviq, tregojnë dokumentet e analizuara nga Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, ajo vazhdoi të merrte pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, kur u emërua ministre.
Kjo dëshmohet nga deklarimet e të ardhurave dhe pasurisë që vetë Paunoviq i ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.
Dorëzimi i këtyre deklarimeve është detyrim ligjor për zyrtarët publikë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë, Zyra për Kosovën në këtë qeveri, Fondi Republikan për Sigurime Shëndetësore, si dhe ministritë përgjegjëse për institucionet shtetërore shëndetësore nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me të ardhurat e Paunoviqit dhe funksionin e saj në një institucion që ka pushuar së ekzistuari.
Përgjigje nuk dha as kabineti i ministres Paunoviq, e cila nxiti reagime të ashpra në rajon dhe në Bashkimin Evropian pasi deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.
Më pas, ajo pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit, por shtoi se qëndron pas çdo fjale të thënë.
E vetmja gjë që do të ndryshonte, sipas saj, do të ishte përdorimi i termit “dëbim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur, siç u shpreh, linçimin publik.
Paunoviq u kërkoi falje presidentit dhe kryeministrit të Serbisë për reagimet që shkaktoi deklarata e saj, por jo shqiptarëve të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e shpallën atë person të padëshirueshëm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e saj nuk pasqyron qëndrimin e autoriteteve në Beograd.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur përgjigje ndaj kërkesave të një pjese të opozitës serbe për shkarkimin e saj.
Në deklarimin e pasurisë dhe të ardhurave për vitin 2025, Paunoviq ka deklaruar se për 11 vjet ka qenë në krye të Institucionit Farmaceutik të Pejës.
Sipas deklarimit, ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës nga 16 prilli 2014 deri më 15 prill 2025.
Një ditë më vonë, ajo u emërua ministre për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale në Qeverinë e Serbisë.
Me marrjen e postit ministror, asaj i pushuan automatikisht funksionet e tjera, në përputhje me ligjin.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, gjatë 11 vjetëve sa drejtoi, sipas dokumenteve zyrtare, Institucionin Farmaceutik të Pejës, Paunoviq ka marrë rreth 146 mijë euro paga nga buxheti i Serbisë.
Regjistri i Serbisë nuk tregon nëse ky institucion farmaceutik kishte të punësuar dhe sa ishte numri i tyre.
Po ashtu, nuk janë të qasshme publikisht as raportet financiare që do të tregonin mënyrën se si ka funksionuar ky institucion.
Selia e tij zyrtare nuk ishte në Pejë, por në Gorazhdec – një fshat me shumicë serbe pranë Pejës.
Sot, ai institucion nuk ekziston më.
Gazetari i Radios Gorazhdeci, Damjan Portiq, thotë se farmacia ka funksionuar deri para disa vitesh, por nuk ka qenë asnjëherë e furnizuar mirë.
“Ishin në dispozicion vetëm barnat më bazike”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se drejtuesit e Institucionit Farmaceutik, për vite me radhë, nuk bënë pothuajse asgjë për t’ua lehtësuar qytetarëve qasjen në barna.
Sipas tij, sot në Gorazhdec funksionon vetëm një farmaci në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit.
Pas luftës së vitit 1999, kur humbi kontrollin faktik mbi Kosovën, Beogradi zyrtar vazhdoi të mbajë nën administrimin e tij një numër ndërmarrjesh dhe institucionesh publike, duke i zhvendosur ato në Serbi ose në komunat e Kosovës me shumicë serbe.
Po ashtu, u krijuan institucione të reja lokale dhe organe komunale brenda sistemit serb, të cilat autoritetet në Prishtinë, me arsyetimin se ishin të paligjshme, nisën t’i mbyllnin në vitin 2024.
Ndërkohë, institucionet shëndetësore dhe arsimore që funksionojnë sipas sistemit serb në mjediset me shumicë serbe, vazhdojnë të operojnë në Kosovë si pjesë e sistemit paralel.
Serbia i themelon, i financon dhe i mbyll këto institucione sipas legjislacionit të saj, si dhe emëron drejtuesit e tyre.
Kështu, Institucioni Farmaceutik i Pejës ekzistoi deri më 7 tetor 2021.
Atë ditë, Paunoviq, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, dorëzoi kërkesën për shuarjen e institucionit.
Në kërkesë thuhej se Institucioni Farmaceutik është fshirë nga regjistri në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë, të miratuar disa muaj më herët, në shkurt të vitit 2021.
Në dokument sqarohej se ishte themeluar Institucioni Farmaceutik në Mitrovicën e Veriut.
Si rezultat, pushuan së ekzistuari institucionet farmaceutike të Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Prishtinës.
Ndonëse institucioni në Pejë është shuar zyrtarisht, Paunoviq vazhdoi ta deklaronte pagën e drejtoreshës si të ardhur të saj.
Në deklarimet e pasurisë të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi për vitet 2023 dhe 2024, ajo deklaroi se, si ushtruese detyre e drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik në Pejë, merr një pagë mujore prej 131 mijë dinarësh, ose rreth 1.100 euro.
“Kjo nuk është hera e vetme që disa persona mbajnë pozita pa kryer asnjë punë, por vazhdojnë të paguhen nga buxheti i Serbisë, ndërkohë që shumë njerëz që jetojnë në Kosovë nuk kanë mundur të punësohen”, thotë Portiq.
Vetë Paunoviq ka deklaruar më herët për mediat në Beograd se nuk ka qenë në Kosovë që nga viti 2022, pasi pretendon se autoritetet në Prishtinë nuk e lejojnë të hyjë në territorin e Kosovës.
Deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si ka mundur të drejtojë një institucion farmaceutik në Kosovë, nëse nuk ka mundur ta kalojë kufirin.
Në fund të vitit 2023, Qeveria e Serbisë miratoi një vendim për riorganizimin e institucioneve farmaceutike në Kosovë.
Sipas këtij vendimi, do të rithemeloheshin barnatore në Pejë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës.
“Nga dita e regjistrimit në regjistrin përkatës, institucioni farmaceutik fillon punën”, thuhet në vendim.
Megjithatë, deri më sot, këto institucione nuk janë regjistruar.
Deri më tani, Snezhana Paunoviq ka dorëzuar gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.
Në deklarimin e parë, të dorëzuar në janar të vitit 2014, ajo raportoi se mbante dy funksione: deputete në Kuvendin e Serbisë dhe kryetare e Bordit Mbikëqyrës të Aeroportit “Nikolla Teslla” në Beograd.
