Bashkëorganizatorja e Kupës së Botës, Meksika, ka njoftuar planet për të vendosur gati 100 mijë personel sigurie për të mbrojtur tifozët në turneun e kësaj vere, mes dhunës së vazhdueshme të karteleve të drogës në vend.
Meksika, organizatore së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, do të zhvillojë ndeshjet e Kupës së Botës në tre qytete – përfshirë Guadalajarën, kryeqytetin e Jaliscos ku filloi dhuna muajin e kaluar dhe më shumë se 12,000 njerëz raportohen të zhdukur, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Meksika do të presë gjithashtu ndeshje në Mexico City dhe Monterrey, të dyja të kursyera nga dhuna, kur Kupa e Botës të mbahet midis 11 qershorit dhe 19 korrikut.
Karteli i drogës Jalisco Neë Generation (CJNG), një nga organizatat kriminale më të frikshme në vend, është përfshirë në shkëmbime zjarri me ushtrinë meksikane, ka bllokuar rrugë dhe ka djegur automjete në përgjigje të vrasjes së udhëheqësit të saj Nemesio Oseguera Cervantes – i njohur si ‘El Mencho’ – në një operacion ushtarak.
El Mencho ishte njeriu më i kërkuar i Meksikës dhe kërkohej gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për të.
Ai u varros të hënën në një varrezë pranë bazës ushtarake në Zapopan. Të premten, Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, prezantoi planin e saj për të siguruar organizimin e sigurt të Kupës së Botës.
FIFA dhe Sheinbaum kanë këmbëngulur që dhuna nuk do të ketë ndikim në Kupën e Botës, kur priten miliona vizitorë.
