Ish-ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka shkruar mbi nevojën e shtimit të armatimit të vendit për shkak të cenimit të sigurisë në një kohë kur Evropa është prekur nga lufta në Ukrainë si rezultat i pushtimit rus dhe kërcënimeve të vazhdueshme destabilizuese nga Serbia në rajon.
Ai në një postim në Facebook ka përkujtuar se shqiptarët janë të ndarë në disa shtete dhe se për obligim të mos ketë ndarje, dhe se detyrë e çdo shqiptari duhet të jetë që ta duam vëllain tonë, kudo që ai jeton e vepron.
“Historia na mëson se kur jemi të bashkuar, ecim të sigurt përpara. Dhe kur jemi të sigurt, jemi më të fortë. Në këtë frymë, çdo takim që kam pasur si ministër i Mbrojtjes dhe jo vetëm, kam përçuar mesazhe bashkimi dhe uniteti”, ka shkruar ai.
Mehaj thotë se mesazhet për bashkim e unitet kanë qenë frymëzim për të gjithë dëshmorët e kombit.
“Në frymën e bashkimit dhe unitetit, kemi ecur edhe në rrugën e profesionalizmit armatosjes dhe forcimit të ushtrisë sonë, si amanet i Dëshmorëve te Atdheut dhe idealeve të UÇK-së, në bashkëpunim me aleatët tanë. Shumëkush na bënte shpesh pyetjen: “Pse po blini kaq shumë armatime. Gjithmonë jam përgjigjur se pa armatosjen dhe pa forcimin e ushtrisë sonë, nuk mund të qëndrojmë të fortë e të sigurt. Sot, pas shumë vitesh, koha po dëshmon se armatosja e Kosovës ishte dhe mbetet kryevepra kryesore e misionit tonë”, ka përfunduar Mehaj.
