Nën akuzë për spiunazh në favor të Serbisë, në Vis janë arrestuar A. M., shtetase serbe nga Mitrovica e Veriut, dhe partneri i saj J. I., i cili është pjesëtar i Forcave Ajrore të Kroacisë, pilot i një helikopteri ushtarak.
Sipas burimeve të gazetës kroate Index, dyshimet janë se piloti kroat i ka siguruar të dashurës së tij informacione konfidenciale, të cilat më pas ajo i ka përcjellë tek Lista Serbe. Të dy të dyshuarit u intervistuan të mërkurën, ndërsa pritet vendimi gjyqësor ndaj tyre.
Mediat kroate raportojnë se piloti ka qenë i angazhuar edhe në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe dyshohet se i ka zbuluar partneres së tij detaje mbi lëvizjet e trupave ndërkombëtare dhe të komunitetit serb në veri të Kosovës, duke filluar nga fundi i vitit 2022.
Hetuesit po ashtu dyshojnë se informacionet përfshinin të dhëna sensitive lidhur me komunën e Zubin-Potokut, zonë e njohur për tensione, bllokada dhe përplasje mes serbëve lokalë dhe autoriteteve të Kosovës.
