Kriza qeveritare zgjati pothuajse një vit – tani ajo ka përfunduar: Me rreth 50 për qind të votave, partia e kryeministrit Kurti mund ta diktojë tonin pas zgjedhjeve. Ai fiton me gjasë kryesisht falë mërgimtarëve që vizituan atdheun, shkruan rrjeti i madh medial gjerman, ARD në krye të një artikulli për zgjedhjet në Kosovë.
Mbështetësit e Albin Kurtit dhe të partisë së tij majtiste-nacionaliste Vetëvendosje festojnë në qendër të Prishtinës, me daulle, instrumente frymore tradicionale dhe fishekzjarrë. Shumë prej tyre vijnë nga diaspora – nga Zvicra dhe Gjermania – dhe kanë shfrytëzuar pushimet dimërore për një vizitë në atdhe së bashku me zgjedhjet parlamentare. Kjo nuk u duket e drejtë shumë kundërshtarëve të Kurtit. Ata e akuzojnë se e ka zvarritur qëllimisht krizën qeveritare dhe zgjedhjet e parakohshme deri në fund të vitit – sepse e dinte se te shqiptarët e Kosovës nga diaspora ka një mbështetje të madhe, raporton Tagesschau, programi i lajmeve i ARD-së.
Rritje befasuese e madhe e votave
Në fakt, pati një rritje befasuese të madhe të votave për partinë e Kurtit: 42 për qind arriti ajo në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, tani është rreth 50 për qind. Kjo do të thotë se kriza qeveritare që zgjati mbi dhjetë muaj mund të marrë fund. Sepse me këtë rezultat Kurti nuk varet më nga PDK, LDK dhe AAK, tri partitë e mëdha opozitare nga spektri liberal deri në qendrën e djathtë.
Bashkëpunimi me opozitën mbetet i nevojshëm
Kurti u shfaq shumë i gëzuar në fjalimin e fitores. “Më lejoni që fillimisht t’i falënderoj qytetarët e Kosovës dhe të gjitha institucionet tona që kanë organizuar një proces zgjedhor të drejtë, demokratik dhe të lirë”. Partia e tij, tha Kurti, ka dalë nga këto zgjedhje si fituese më e madhe se në zgjedhjet e fundit – dhe e falënderoi opozitën për fushatën zgjedhore. “Gëzohem për bashkëpunimin me opozitën për disa marrëveshje ndërkombëtare që ende janë të hapura dhe për të cilat na nevojitet një shumicë prej dy të tretash”, tha ai. Sipas tij, këtu bëjnë pjesë 880 milionë euro nga plani i rritjes i BE-së dhe 120 milionë euro nga tri marrëveshje me Bankën Botërore.
