Studentët dhe profesionistët e rinj të Mjekësisë në Kosovë u kanë drejtuar institucioneve tetë kërkesa, duke kërkuar që deri më 6 nëntor të marrin përgjigje për çështjet që lidhen me punësimin, dinjitetin dhe mundësitë për zhvillim profesional.
Përmes një thirrjeje publike, iniciatori i kësaj nisme ka ngritur shqetësimet me të cilat përballen të rinjtë e këtij profesioni, duke kërkuar ndryshime konkrete dhe më shumë siguri për të ardhmen e tyre në vend
“Mjaft më! Duam të na ktheni dinjitetin!”, thuhet në thirrjen e publikuar.
Sipas iniciatorit, pavarësisht viteve të gjata të studimit dhe përkushtimit, shumë profesionistë të rinj shëndetësorë vazhdojnë të përballen me vështirësi në gjetjen e një vendi pune dhe në sigurimin e mundësive për avancim profesional.
Ai ka theksuar se përfundimi i studimeve dhe marrja e licencës nuk u garantojnë domosdoshmërisht të rinjve një të ardhme të sigurt në sistemin shëndetësor të Kosovës.
“7 vite studime, deri në licencim, dhe asnjë siguri për të ardhmen! Me titullin e doktorit, por me stazh pa pagesë. I licencuar, por i papunësuar. I papunësuar dhe pa perspektivë për specializim”, thuhet në reagim.




