Mbyllja e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës në vitin 1948, atëherë pjesë e Federatës Jugosllave, solli ndarjen tragjike të mijëra familjeve shqiptare që jetonin përgjatë vijës kufitare.
Një nga historitë më prekëse të kësaj periudhe është ajo e Hanife Myzyrajt, e cila sot është 82-vjeçare, e lindur në fshatin Demjan të Hasit në Kosovë dhe e martuar në fshatin Dobrunë të Shqipërisë.
Në qershor të vitit 1948, në moshën pesëvjeçare, Hanifja shkoi së bashku me gjyshin e saj, Adem Sokolin, për vizitë te dajallarët në fshatin Vlahën të Shqipërisë. Ishin pjekur qershitë dhe ajo si çdo fëmijë ndjente mall për të qëndruar të dajallarët. Pas dhjetë ditës qëndrimi kufiri u mbyll dhe Hanifja mbeti në Shqipëri. Ndërsa prindërit nëna Fata dhe babai Rexhepi mbetën në Kosovë.
”Pas dhjetë ditësh më thanë: ‘Po mbyllet kufini, a do me dal? Unë thashë: ‘Jo. Pse, me çka e mshelin, a ka gardh, a ka mur, kur të më merr malli, shkoj.’ – ‘Po nuk mundesh, ka tela, ka gjemba, ka roje.’ Unë thashë: ‘Jo, du me nejt, don me nejt rri dhe u mbyll kufini”, rrëfen Hanifja për Radio Kosovën, me një ton që përzien pafajësinë fëmijërore me dhimbjen e pashlyer të ndarjes.
Hanifja u rrit në Shqipëri, kreu katër vite të shkollës fillore dhe më vonë u martua në fshatin Dobrunë, rrethi i Kukësit, vetëm pak kilometra nga fshati i saj i lindjes.
