Mbrojtja e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, kanë njoftuar se nuk kanë prova dhe as dëshmitarë të tjerë për të paraqitur dhe me këtë kanë mbyllur çështjet e tyre në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në njoftimin e saj, mbrojtja e Thaçit thotë se ky njoftim nuk do të thotë që mbrojtja nuk do marrë asnjë mjet juridik për çështje që kanë mbetur ende pa vendim nga ana e gjyqtarit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Mbrojtja e Smakajt ka thënë se në këtë fazë, nuk kanë ndërmend që të dorëzojnë prova, por rikujtoi që është një ankesë e Prokurorisë për të cilën ende s’ka vendim. Kjo çështje, sipas tyre do të varet nga vendimi në atë ankesë.
“Në rast se ankesa IA009-F00002 aprovohet tërësisht ose pjesërisht, mbrojtja e z. Bashkim Smakaj rezervon të drejtën të mbajë një deklaratë hyrëse të mbrojtjes dhe të paraqesë prova (gojore dhe/ose me shkrim) nga i akuzuari dhe/ose të tjerët, dhe në atë fazë duhet të mbahet një konferencë për përgatitjen e mbrojtjes”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Smakajt.
Ngjashëm është shprehur edhe ajo e Kilajt, se e ka mbyllur çështjen e saj por që do të paraqesë prova në rast se pranohen provat e Prokurorisë që janë objekt i ankesës së saj e për të cilën ende s’ka vendim.
