Gjatë punimeve të Mbledhjes së 121-të Plenare të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), zhvilluar në Bruksel, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, ngriti në nivel evropian çështjen e vlerësimit të progresit të vendeve kandidate në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Gjatë sesionit të diskutimit me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, Komisioneri Dervishi paraqiti progresin e arritur nga Shqipëria në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Acquis të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Në ndërhyrjen e tij, Komisioneri Dervishi theksoi se Shqipëria ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, plotësisht të harmonizuar me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën 2016/680 për autoritetet e zbatimit të ligjit, disponon një autoritet mbikëqyrës të pavarur në përputhje me standardet evropiane dhe kontribuon prej vitit 2016 në punën e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) në cilësinë e vëzhguesit.
Duke iu referuar faktit se, pavarësisht këtij progresi, nivelit të lartë të përafrimit me standardet evropiane dhe duke u konsideruar në të njetin nivel me vendet anëtare të BE-së, Shqipëria ende vijon të konsiderohet vend i tretë për qëllime të transferimit të të dhënave personale.
Në këtë kontekst Komisioneri Dervishi theksoi nevojën që progresi i vendeve kandidate të vlerësohet në mënyrë objektive dhe në përputhje me nivelin e harmonizimit të legjislacionit dhe kapaciteteve institucionale me Acquis të Bashkimit Evropian me ritme më të shpejta.
