Avokati mbrojtës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Laur Prenaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ndaj të mbrojturit të tij të nxjerrë aktgjykim lirues në rastin e akuzës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në fjalën përfundimtare, Prenaj ka pretenduar se nuk është provuar se Sveçla ka përmbushur elementet e veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa si argument kryesor ka ngritur mospërputhjen në identifikimin e provës së ekzaminuar.
“Ne konsiderojmë se në këtë çështje penale nuk është provuar de i mbrojturi im i ka përmbushur elementet e veprës penale përdorimi i armës për të cilën akuzohet. Së pari, se ekspertiza mbi të cilat mbështetet aktakuza e paraqet një mangësi thelbësore në vetë identifikimin e provës se ekzaminimi në ekspertiza, urdhërohet egzamini i provës se shënuar me E-16. thotw “Në lidhje me kërkesën e prokurorisë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 18.10.2018, me të cilën është kërkuar nga specialistët e njësisë I E B D që të bëhet ekspertiza e dëshmisë E-16 e përshkruar në përmbajtjen e kartelës së teknikës kriminalistike”, tha ai.
Sipas mbrojtjes, prova E-16 nuk është mjeti që pretendohet se është përdorur nga Sveçla.
“Ndërsa po e shohim dëshmia E-16 është një sprej dore, e cila nuk i është gjetur të mbrojturit tim. Çka do të thotë se kjo ekspertizë nuk ka lidhje as juridike e as faktike me të mbrojturin tim, barra e provës i bjen prokurorisë. Një mospërputhje e tillë krijohen dyshime serioze lidhur me atë se cili objekt është ekzaminuar dhe rrjedhimisht se përfundimet e ekspertizës nuk mund t’i atribuohen mjetit që pretendohet se është përdorur nga i mbrojturi im”, tha ai.
Prenaj ka thënë se veprimi i Sveçlës, sipas mbrojtjes, kishte pasur qëllim politik dhe jo kriminal.
“Veprimi i tij ka pasur për qëllim pengimin e mbajtjes së një seance dhe ndalimin e një marrëveshjeje të dëmshme ndaj vendit. I propozojmë gjykatës që ndaj të mbrojturit tim të nxjerrë aktgjykim lirues”, tha ai.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjyqtari i rastit, Sabit Sadiku, njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 2 shtator, në orën 09:00.
