Përfaqësues nga sektori kreativ i Ballkanit Perëndimor ishin në qendër të vëmendjes në një pritje të veçantë të organizuar nga Mbreti Charles në Londër.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, dhe ministrja e Jashtme Yvette Cooper, e cila theksoi se pritja ishte “një shenjë e qartë e vlerës që Mbretëria e Bashkuar i jep marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor dhe partnerëve të pranishëm këtu sot”, raporton “edp24”.
Eventi u mbajt në prag të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor (Procesi i Berlinit), që zhvillohet në Londër, dhe kishte për qëllim të nënvizonte rolin e industrive kreative, rinisë dhe shoqërisë civile në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, diplomacisë kulturore dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.
Duke iu drejtuar të pranishmëve – përfaqësuesve diplomatikë, artistëve, bizneseve dhe organizatave rinore – Cooper tha se “kjo ngjarje është edhe për historinë tonë të përbashkët”.
Procesi i Berlinit, i themeluar në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel, synon të forcojë bashkëpunimin rajonal, zhvillimin ekonomik dhe afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Gjatë pritjes, Mbreti Charles dhe kryeministri Starmer zhvilluan biseda me liderë të rajonit, përfshirë kryeministrat Edi Rama të Shqipërisë, atë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, sikurse edhe të shteteve tjera të rajonit.
