Që nga fillimi i vitit 2026 e deri në qershor policia e Kosovës për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut, ua mori lejet e veturave mbi 6 mijë shoferëve të automjeteve të ndryshme.
“Policia e Kosovës zbaton të gjitha ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës e në rastin konkret ligjet që lidhen me fushën e trafikut, ku përveç gjobave për kundërvajtje të ndryshme, janë paraparë edhe masa mbrojtëse, kështu nga fillimi i këtij viti 6,259 shoferëve u është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik.”
Një numër i madh i lejeve të veturave ishin konfiskuar nga policia e Kosovës edhe vitin e kaluar, ajo përgjatë vitit 2025 kishte konfiskuar mbi 13 mijë syresh. Ndërkohë, konfiskimi i patentshoferëve nga ana e Policisë së Kosovës po vlerësohet si shkelje e të drejtave të njeriut, meqë, patentë shoferi është dokument personal dhe i nevojshëm për qytetarët. Ish-drejtori i Policisë Reshat Maliqi, ngriti alarmin se si shkak i konfiskimit të këtij dokumenti një numër i qytetarëve rrezikojnë të humbasin edhe vendet e punës.
“Policia kur po konfiskon patentë shofer, po konfiskon të gjitha kategoritë. Pra nëse bënë shkelje me veturë po të konfiskohet edhe patenta për autobusë po rrezikon qytetarët që t’i lë edhe pa punë. Kjo nuk po më duket e drejtë”, tha Maliqi.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi bëri të ditur se po përgatitë një lëndë për shqyrtimin e ligjshmërisë së këtij ligji në gjykatën Supreme, meqë, përveç konfiskimit të patentë shoferëve me raste policia ka konfiskuar edhe automjetet e qytetarëve.
