Mbetjet mortore në Zubin Potok kanë rindezur një betejë të ashpër diplomatike për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Krerët e shtetit vazhdojnë të ripërsërisin kërkesën që ndërkombëtarët të rritin trysninë ndaj Serbisë për hapjen e arkivave ushtarake, në mënyrë që të zbardhet fati i secilit person që ende figuron i zhdukur.
“Faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë prezantimit të raportit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet katërjavore në zonën e Zubin Potokut, ku u gjetën mbetje mortore të 23 personave.
Lidhur me këtë kërkesë janë deklaruar edhe disa nga ambasadat e shteteve të Quint-it në Kosovë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë për RTK-në se mbështet përpjekjet për zbardhjen e krimeve të luftës dhe gjetjen e përgjigjeve për familjet e viktimave.
“Zyrtarisht Ambasada e SHBA-së vazhdon të mbështesë përpjekjet për hetimin e krimeve të luftës dhe sjelljen e drejtësisë për familjet e viktimave të luftës. Çdo familje meriton përgjigje për fatin e të dashurve të tyre”, kanë thënë nga Ambasada amerikane.
Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe Ambasada e Gjermanisë, duke iu referuar Deklaratës për Personat e Pa Gjetur, të miratuar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2023.
“Ndër detyrat e këtij komisioni, ku bëjnë pjesë si Kosova ashtu edhe Serbia, është sigurimi i qasjes në të gjitha dokumentacionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha palëve që të ofrojnë qasje në informacione të sakta dhe të besueshme lidhur me personat e pagjetur dhe varrezat masive të dyshuara”.
