Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, është përballur sërish me akuza se ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave.
Këto pretendime dolën pas promovimit më 10 mars në ambientet e Parlamentit Evropian të librit “Komesarka”, të autorit slloven Igor Omerza, në të cilin paraqiten dokumente që sipas autorit provojnë se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.
Promovimin e organizoi eurodeputetja sllovene Romana Tomc, anëtare e Partisë Popullore Evropiane, grupimi më i madh politik në Parlamentin Evropian. Menjëherë pas promovimit, Tomc i dërgoi një letër Komisionit Evropian, duke iu referuar përmbajtjes së librit.
“Në dokumentet e reja sugjerohet se Marta Kos, si kandidate, ka gënjyer para komitetit parlamentar të Parlamentit Evropian, pasi deklaroi se kurrë nuk ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave”, shkroi Tomc në letrën e publikuar në rrjetet sociale.
Ajo e pyeti Komisionin Evropian nëse është në dijeni të pretendimeve të reja, nëse ka ndërmend t’i verifikojë dhe çfarë masash planifikon të marrë për të parandaluar mundësinë që Marta Kos të ketë gënjyer gjatë dëgjimit në Parlamentin Evropian, duke pasur parasysh se Komisioni është i detyruar të respektojë standardet më të larta të integritetit.
Megjithatë, Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian përgjegjës për zgjerimin, mohoi se Komisioni ka marrë këtë letër.
“Komisionerja Kos ka kaluar një proces të gjerë dhe të detajuar verifikimi për t’iu bashkuar Kolegjiumit. Parlamenti Evropian miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionerët. Komiteti për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të tjera”, tha Mercier.
