Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ka pritur në takim studentë të nivelit master nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndjekin studimet në programin e Shkencave Ndërkombëtare dhe Krahasuese në ETH Zurich.
Ai ka bërë të ditur se vizita e tyre në Kosovë ka përkuar me aktivitetet përkujtimore për 148-vjetorin e Lidhja Shqiptare e Prizrenit, të cilën e ka cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve.
“Kënaqësi të prisja në takim studentët e nivelit master nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndjekin studimet në programin e Shkencave Ndërkombëtare dhe Krahasuese në ETH Zurich. Vizita e tyre në Kosovë përkoi me një javë të veçantë për vendin tonë, kur po zhvillohen aktivitetet përkujtimore me rastin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një ngjarje që shënon një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin e Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për sfidat aktuale rajonale dhe globale.
“Gjatë takimit diskutuam për rrugëtimin e Kosovës nga përpjekjet historike për liri deri te ndërtimi i institucioneve moderne të sigurisë dhe mbrojtjes, luftën e UÇK-së si dhe tranzicionin e FSK-së, zhvillimet aktuale në fushën e mbrojtjes, si dhe ndikimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale në sigurinë kombëtare”, ka shtuar ai.
