Deputeti nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri ka folur rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Ai tha se Kosova tash e një kohë është në një krizë të brendshme politike.
“Jemi në krizë të brendshme, jemi mbyllur në krizën e brendshme politike. E dimë që jemi në orët e fundit të mandatit të presidentes së Republikës së Kosovës dhe fillimit të krizës së re për zgjedhjen e presidentit e cila ka me prekë edhe ekzekutivin edhe jetën e qytetarëve”, tha Haziri në Rubikon.
Tutje, ai tha se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti i kaluar ishte që në vendin e ushtruesit të detyrës së presidentit të vendit të caktohej një përfaqësues nga kjo parti.
“Prej 9 shkurtit është synuar ushtrimi i detryës me një përfaqësues të Vetëvendosjes në Presidencë, ky ka qenë synim që tash po del, po faktohet. Kriza e vitit të kaluar me zgjedhjen e kryetares e cila arriti me u zgjedh me një proces të ri zgjedhor përmes 28 dhjetorit dhe synimi ka qenë që në këtë kohë kur të vjen, kur të mungon Vjosa Osmani, Albulena Haxhiu me ushtru detyrën e presidentes dhe me menaxhu një proces të caktuar”.
