Prej tre ditësh, në shumë zona Shqipëria vijon të jetë e përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.
Në disa zona të Elbasanit si dhe në veri, shiu i ka lënë reshje dëborës, e cila ka shkaktuar vështirësi në qarkullim në shumë akse.
Në Vlorë, niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra, janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Në Shkodër ka rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë. 15 banesa janë të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Në Lezhë rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Është bërë evakuimi i dy familjeve, rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll, rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh dhe po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.
Në Durrës, një nga zonat më të prekura, po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish- Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve: 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale; disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
Në Krujë si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.
