Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, në një intervistë për Ekonomia Online tha se situata e sigurisë në Lindjen e Mesme deri më tani nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e barnave në Kosovë, por sfidë më e madhe mbetet mungesa e disa barnave në institucionet shëndetësore.
Bytyqi tha se ende nuk ka ndikim por mundet një impakt për shkak të importit.
“Ne besoj se jemi duke përcjellë situatën, por deri tani nuk ka ndonjë impakt direkt. Me rideklarimin e çmimeve që do të bëhet këtë vit do të shihet, sepse edhe njerëzit të cilët merren me importin dhe distribuimin e barnave këtu, pra kompanitë farmaceutike, janë ato të cilat edhe i importojnë prej diku, nga vendet evropiane në shumicën e rasteve, dhe në qoftë se ato i atakojnë direkt, i bie që edhe te ne indirekt do të ketë ndonjë atakim sa i përket çmimeve të barnave. Po deri tani nuk ka ndonjë gjë e cila mund të theksohet se ka pasur një impakt direkt. Por impakti është, siç kemi folur edhe më herët, mungesa e shumëllojshmërisë së barnave në Kosovë, jo çmimet e tyre”, tha ai.
Sa i përket udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë për përcaktimin e çmimeve të barnave, kryetari i Odës u shpreh se pasi janë bërë ndryshimet e nevojshme por sipas tij ende ka punë për të bërë.
“Po shikoni, fillimisht ka qenë krijuar njëfarë lloj i një situate jo fort të mirë sepse ka qenë hera e parë, pastaj ato vendimet pak siç i kemi potencuar atëherë, të ngutura. Por me kohë janë bërë revidimi i disa vendimeve, ka filluar të stabilizohet çështja e vendosjes së çmimeve. Nuk po them se është rregulluar plotësisht, absolutisht jo, ka shumë punë për të bërë. Ne jemi të gatshëm, së fundi e kemi pasur edhe një takim këtu në Odë me Ministrin dhe kemi ritheksuar edhe njëherë gatishmërinë tonë 100% për të mirë të komunitetit tonë, por edhe për të mirë të qytetarëve të Republikës, të cilëve u kemi obligim shërbime sa më të mira edhe furnizim sa më të madh me barna të cilat ata kanë nevojë për shëndetin e tyre”, u shpreh Bytyqi.
Ndërsa për situatën e krijuar si pasojë e mungesave të barnave esenciale në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe në klinika të tjera, Bytyqi thotë se është një menaxhim jo i mirë.

