Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në luftën kundër kriminalitetit ekonomik dhe financiar.
Kryeprokurori Gashi vlerësoi mbështetjen e partnerëve amerikanë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Tutje, bëhet e ditur se pjesë qendrore e diskutimeve ishte luftimi i pastrimit të parave dhe hetimi i veprave penale financiare.
“Gjatë këtij takimi u diskutua veçanërisht për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e pastrimit të parave, hetimin dhe zbulimin e veprave penale të natyrës financiare, si dhe adresimin e formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik”, njofton Prokuroria.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit Amerikan riafirmuan përkushtimin e tyre për të mbështetur institucionet kosovare në këtë fushë.
“Përfaqësuesit nga Departamenti i Thesarit Amerikan shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit, me qëllim të avancimit në drejtim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të suksesshëm të kriminalitetit ekonomik, me fokus të veçantë në luftimin e pastrimit të parave dhe formave tjera të krimeve financiare”, thuhet më tej në komunikatë.
Në fund të takimit, kryeprokurori Gashi falënderoi delegacionin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme, duke ritheksuar përkushtimin e institucionit që drejton për bashkëpunim me organet vendore dhe ndërkombëtare.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me organet tjera ligjzbatuese, qoftë vendore apo edhe ndërkombëtare, me qëllim luftimin e dukurive negative dhe forcimin e sundimit të ligjit”, përfundon njoftimi.