Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në këtë ditë feste, ka bërë një postim të gjatë, ku ka ‘goditur’ disa krerë të shtetit dhe personalitete, se pozat e tyre atdhetare, janë artificiale .
Ai thotë se tri ditë atdhetar në vit, janë të pamjaftueshme për gjendjen në të cilën është vendi.
Lladrovci thotë se kjo datë madhështore, bëhet më provokuese për ata që e synojnë votën me 28 dhjetor.
“Çfarë kemi bërë ndërmjet dy 28 nëntorëve, çka kemi ndryshuar? Kjo datë madhështore, bëhet më provokuese për ata që e synojnë votën me 28 dhjetor, andaj, kapja e vullnetit qytetar me flamurin kuq e zi, duket veprim më i lehtë se dëshmia e punës gjatë një viti apo një mandati nën hijen e këtij flamuri.
Pyes, si një nga ata që nuk i deshti plumbi, çfarë do të duhej të bënim menjëherë që shteti ynë të ishte më i suksesshëm, hapësirë më e lumtur për të rinjtë tanë, hapësirë më optimiste për familjet e Kosovës, shtet më i drejtë, shtet i cili më shpejtë ofron zgjidhje të sfidave, shtet më efikas dhe shtet çfarë e duan të gjithë qytetarët.” – ka shkruar kreu i Drenasit.
Edhe ky 28 nëntor, ai thotë se në Kosovë do të shënohet në situatë jo aq optimiste, “megjithëse festë që bëhet më përfshirëse besa edhe e lidhur ngushtë me fushatën.”
