Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër” (LKE), Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në “Marshin për Liri”, që do të mbahet të shtunën në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një njoftim për media dërguar nga kjo platformë lidhur me konferencën e mbajtur të premten, thuhet se për fjalime në marsh janë ftuar katër liderët e partive parlamentare shqiptare.
Ata kanë njoftuar se pozitivisht janë përgjigjur vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe ai i AAK-së Ardian Gjini.
“Paraprakisht LKE i ka ftuar liderët e katër partive parlamentare shqiptare të marrin fjalën e tyre, për t’iu drejtuar pjesëmarrësve në Marsh, mirëpo ftesës i janë përgjigjur pozitivisht vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe ai i AAK-së Ardian Gjini”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, thuhet se ka prezantuar programin dhe folësit e Marshit.
“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të Marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje. Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit. Programi do të shoqërohet edhe me këngë, të cilat do të jenë pjesë e mesazhit të këtij tubimi, këngë patriotike, natyrisht, që na kanë frymëzuar dhe na kanë kujtuar gjithmonë për përkushtimin tonë për liri”, citohet të ketë thënë Hoxha.



