Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për vizitën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë, si dhe për iniciativat për miratimin e një ligji që lidhet me Gjykatën Speciale.
I pyetur për vizitën e Krasniqit në Kosovë, Limaj ka thënë se për këtë çështje është deklaruar edhe më herët në intervista.
“E kam thënë, besoj se kam qenë i qartë, e kam thënë disa herë në intervistat e mia”, ka deklaruar Limaj.
Ndërkaq, sa i përket Ligjit për Specialen, Limaj ka thënë se Kosova ka nevojë për më shumë mirënjohje dhe respekt ndaj bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve, por edhe për veprime institucionale që do të kontribuonin në vendosjen e drejtësisë.
Ai ka vlerësuar se çdo veprim ligjor që ndërmerret për këtë çështje mund të ketë efekt, duke theksuar se duhet të shqyrtohet përmbajtja e projektligjit të ri, i cili ende nuk është bërë publik.
Limaj ka kujtuar edhe iniciativën e mëhershme për ligjin, të cilën e ka cilësuar si hap të rëndësishëm për trajtimin e një çështjeje që, sipas tij, nuk është adresuar për gjashtë vjet.
“Është një mesazh se Kosova ka nevojë për një njerëzi, për një respektim, me shpresën dhe me besimin që edhe institucionet do ta bëjnë punën e vet duke proceduar atë ligj, çdo gjë që duhet bërë për ta vënë drejtësinë në vend. Dhe besoj që kjo është ajo që i duhet edhe e presin qytetarët e Republikës së Kosovës. Është i vonuar, është i vonuar dhe çdo gjë që bëhet përpjekje ai ligji që ka qenë, pastaj ky që vjen, unë po flas, që vjen nuk po flas, unë po flas për ligjin. Çdo veprim që bëhet, në veprim ligjor, jini të sigurt që ka me pas efekt. Varet çfarë ka me pas ligji. Edhe jam i bindur që ka me pas efekt. Dhe Kosova duhet ta bëjë atë hap. Dhe nuk duhet të paragjykohen iniciativat e veprimit. Krejt çka nuk duhet me bë e s’ka pas efekt, ajo çka ka ndodhur për shtatë vjet që s’kemi bërë asgjë. Asgjë. Duke mos bërë asgjë, s’ka pas kurrfarë efekti. Dhe çdo gjë tjetër që bëhet, iniciativa konkrete, siç ka qenë ligji ose si do të vjen projekti, ligji ai që ne ende nuk e dimë, se s’kemi parë, duhet ta shohim, është një hap drejt ndryshimit të kësaj padrejtësie. Unë e kam thënë edhe ai ligj që ka qenë, ka qenë ligj, një hap i mirë, serioz, i rëndësishëm për të marrë këtë çështje që s’është marrë për shtatë vite. Ka qenë një ligj, një hap i rëndësishëm për të vazhduar edhe për të kufizuar mandatin e asaj gjykate e cila tërësisht ka dalë jashtë mandatit të vet”, ka thënë Limaj.
I pyetur nëse ka ambicie për të qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Limaj ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se vëmendja e tij aktualisht është te çështja e Apelit dhe lufta çlirimtare.
“Ndërsa shikoni, tema kryesore e jona është Apeli, Apeli, Apeli, lufta çlirimtare. Unë nuk kam asnjë ambicie për të qenë kryetar i asnjë partie tjetër. Ajo çfarë po flas unë, sot e kemi një temë tjetër”, ka deklaruar Limaj.