Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon zgjidhjen e ngërçit institucional dhe rikthimin e stabilitetit politik e ekonomik, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm dhe përgjegjshëm nga liderët institucionalë.
– Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për zgjatjen e situatës së bllokimit institucional dhe për klimën e tensionuar politike, e cila po krijon pasiguri të shtuar për qytetarët, bizneset dhe ekonominë e vendit.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës nuk ndërhyn në proceset politike, mirëpo qëndrimi ynë është i bazuar ekskluzivisht në interesin ekonomik dhe në nevojën që Kosova të ketë institucione funksionale, stabilitet institucional, sundim të ligjit, transparencë dhe parashikueshmëri për bizneset dhe investitorët.
Bizneset kanë nevojë për një mjedis ku vendimmarrja institucionale funksionon, politikat publike janë të qëndrueshme dhe reformat ekonomike mund të zbatohen pa pengesa të krijuara nga krizat institucionale.
Zgjatja e kësaj situate po rrezikon negativisht në besimin e investitorëve, në vendimmarrjen për investime të reja, në proceset e reformave ekonomike dhe në qasjen e vendit në mekanizma dhe programe të rëndësishme financiare ndërkombëtare.
Gjendja e ekonomisë kërkon përgjegjësi institucionale
Shqetësimi i komunitetit të biznesit bëhet edhe më i madh për shkak të gjendjes aktuale me të cilën po përballen ndërmarrjet në Kosovë.
Prodhuesit vendorë, në veçanti, po përballen me një varg problemesh, sfidash dhe rreziqesh në forma të ndryshme, duke përfshirë rritjen e kostove, konkurrencën e produkteve të importuara, vështirësitë në treg, kostot e energjisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe pasigurinë që ndikon në planifikimin e investimeve.
Në këto rrethana, bizneset nuk kanë nevojë për më shumë pasiguri. Ato kanë nevojë për stabilitet, vendimmarrje, reforma dhe politika ekonomike të qarta dhe të parashikueshme.
Çdo vonesë institucionale ka kosto ekonomike. Ajo ndikon në investimet e reja, në hapjen e vendeve të punës, në zhvillimin e prodhimit vendor dhe në aftësinë e kompanive për të planifikuar.
Të dhënat tregojnë për shqetësime serioze sociale dhe ekonomike
Sipas të gjeturave kryesore të hulumtimit nga inatirucionet kredibile të realizuar në maj 2026, situata sociale dhe ekonomike në Kosovë paraqet shqetësime që duhet të jenë në qendër të vëmendjes së institucioneve.




