Një dokument i publikuar në emisionin Debat Plus hedh dritë mbi një letër të pazakontë që Nazim Bllaca, dëshmitari i njohur i aferave të pasluftës, i kishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.Në këtë letër, Bllaca kërkonte që t’i njihej statusi i invalidit të luftës, duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj institucioneve që, sipas tij, kishin refuzuar kërkesën.
Por ajo që bie në sy janë tonet shantazhuese dhe përmendjet e drejtpërdrejta të zyrtarëve të lartë të UÇK-së dhe të qeverisë së pasluftës.“Unë paskësha dashur të plagosem në ndonjë atentat kundër zyrtarëve të LDK-së, p.sh. tek Adem Salihaj, Ismet Arifi apo tek Ali Sadriu, dhe besoj se do të ma kishin pranuar statusin e invalidit. Mirëpo, ju jeni të shantazhuar nga Driton Hajdari, duke ju kërcënuar ai se nëse nuk ma jepni statusin e invalidit të luftës, do t’ju lajmëroj tek organet hetuese për krimet e pasluftës”, shkruan Bllaca në një pjesë të letrës.
Ai bën dallimin mes vetes dhe një ish-shoku të tij që ishte plagosur pas luftës, duke theksuar se vetë ishte plagosur gjatë luftës, më 9 tetor 1998, ora 23:45.Letra, që mban gjuhë të drejtpërdrejtë dhe akuza të rënda, përmend edhe ish-komandantin e UÇK-së dhe ish-deputetin Azem Syla, për të cilin Bllaca pretendon se ishte kryetar i komisionit për verifikimin e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së.