Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kritikuar ashpër procesin politik lidhur me zgjedhjen e Presidentit, duke thënë se Albin Kurti po e shmang AAK-në nga konsultimet, të cilat sipas tij po zhvillohen pa transparencë dhe jashtë interesit shtetëror.
Lekaj tha se mungesa e ftesës për AAK-në tregon mungesë konsensusi dhe përpjekje për “kalkulime politike” për kapjen e institucioneve.
“Është më se e qartë pse Albin Kurti po e shmang AAK-në në këtë proces. Sepse AAK nuk është dekor politik dhe as vegël për pazare të fshehta. Ne jemi subjekt që kërkon marrëveshje të hapura, transparente dhe në interes të shtetit, jo skenarë të mbyllur në zyrat e pushtetit. Fakti që nuk ka ftesë për AAK-në tregon frikë nga një qëndrim i qartë dhe parimor, tregon mungesë serioziteti për konsensus dhe përpjekje për ta kapur institucionin e Presidentit për interesa partiake”, thotë Lekaj.
Ai gjithashtu komentoi mundësinë e një marrëveshjeje VV–LDK, duke theksuar se çdo bashkëpunim duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo për ndarje pushteti.
“Sa i përket një marrëveshjeje të mundshme VV-LDK, gjithçka është e mundur kur bëhet fjalë për pushtet. Por pyetja që duhet bërë është: a do të jetë kjo marrëveshje në shërbim të qytetarëve apo vetëm për të ndarë pozita? Kosova nuk ka nevojë për pazare të radhës, por për stabilitet institucional dhe respektim të Kushtetutës”, shtoi Lekaj.Sipas tij, Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe mbi interesat partiake, ndërsa institucionet, siç theksoi, nuk duhet të trajtohen si pronë e asnjë partie politike.
“AAK mbetet e qartë: Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, mbi interesat partiake, dhe jo produkt i kalkulimeve të ngushta politike. Nëse Kurti mendon se mund ta kalojë këtë proces pa opozitën, gabon rëndë. Institucionet nuk janë pronë e askujt – ato i takojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Lekaj për GazetaBlic.