Kandidati për deputet nga AAK, Pal Lekaj, ka reaguar fuqishëm pas deklaratave të disa zërave brenda Vetëvendosjes, të cilat kanë sulmuar familjen Haradinaj dhe kanë vënë në pikëpyetje sinqeritetin e lotëve të nënës Ruke.
Lekaj ka thënë se është “tejkaluar çdo kufi i moralit politik”, duke e cilësuar të padrejtë e të turpshme që të interpretohet dhimbja e një nëne që i ka dhënë Kosovës dy dëshmorë dhe tre luftëtarë të lirisë.
I plotë:
Ka vite që disa zëra të LVV-së e kanë bërë zakon të sulmojnë familjen Haradinaj. Sot, kufiri u tejkalua edhe një herë. Të vihet në pikëpyetje sinqeriteti i lotit të një nëne që i ka dhënë Kosovës dy dëshmorë e tre luftëtarë të lirisë, është jo vetëm e padrejtë, por e turpshme.
Nëna Ruke nuk ka kërkuar asnjëherë vëmendje. Dhimbja e saj nuk është e sotme, ajo është dhimbje e 25 viteve, e peshës së sakrificës që familja Haradinaj e ka mbajtur pa u ankuar kurrë. Ata që sot guxojnë ta interpretojnë lotin e saj si kalkulim politik, flasin më shumë për moralin e tyre sesa për familjen Haradinaj.
