Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si “skandaloze” dhe “thellësisht të papranueshme” përmbajtjen e ekspozitës së fundit mbi luftën e Kosovës.
Sipas LDK-së ajo përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre.
Në një deklarim zyrtar, LDK-ja pohon se lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën.
LDK thotë se lufta është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë nuk është vetëm e gabuar por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive dhe për vetë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës.
“Edhe më i rëndë është fakti se një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga institucioni më i lartë i shtetit, nga Kuvendi i Kosovës. Ky nuk është thjesht një gabim në vlerësim; është një dështim serioz institucional. Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës së tij dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe pret që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë, paanshmëri dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme” thuhet në reagim.
