Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), së bashku me Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe Shoqatën e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës, kërkojnë veprim urgjent institucional për adresimin e sfidave serioze me të cilat po përballen sektori i ndërtimit dhe industria nxjerrëse në Kosovë.
Përfaqësuesit e organizatave të biznesit, pas një takimi të përbashkët me kompanitë e sektorit, kanë vlerësuar se zvarritjet administrative, mungesa e koordinimit institucional, pasiguria juridike dhe pengesat procedurale po krijojnë pasoja të drejtpërdrejta në realizimin e investimeve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e vendeve të punës.
Sektori privat thekson se këto barriera po pengojnë funksionimin normal të operatorëve ekonomikë vendorë, duke ndikuar në rritjen e kostove, vonesat në realizimin e projekteve dhe dobësimin e konkurrueshmërisë së industrisë vendore.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka qenë vazhdimisht e angazhuar në adresimin e këtyre çështjeve dhe në përfaqësimin e interesave të sektorit privat. Në këtë drejtim, më 23 Prill 2026, LBK ka dorëzuar komentet dhe rekomandimet e saj tek Grupi Punues për hartimin dhe finalizimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-125 për Pronën Publike, me qëllim që shqetësimet e bizneseve të reflektohen në kuadrin ligjor dhe të krijohet një mjedis më i sigurt për investime.
Shqetësimet kryesore të sektorit
Pas analizimit të gjendjes aktuale dhe diskutimeve me përfaqësuesit e industrisë, është konstatuar se sektori i ndërtimit, industria e betonit dhe aktivitetet e gurthyesve po përballen me barriera serioze institucionale dhe administrative.
Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ngriti shqetësimin lidhur me vështirësitë në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me zhavorr dhe agregate ndërtimore, duke theksuar se mungesa e këtyre materialeve bazë po ndikon drejtpërdrejt në proceset prodhuese, realizimin e projekteve dhe stabilitetin e tregut.
Ndërkaq, Shoqata e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës ngriti shqetësimin për rritjen e importeve të materialeve ndërtimore nga Serbia dhe tregje të tjera, në një kohë kur prodhuesit vendorë po përballen me pengesa të shumta administrative dhe procedurale.
Kjo situatë po dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor, po rrezikon investimet ekzistuese dhe vendet e punës, ndërsa krijon varësi nga importet për produkte që mund të sigurohen nga kapacitetet vendore.
Çështjet prioritare të identifikuara
* Mungesa e harmonizimit institucional ndërmjet Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe institucioneve të tjera kompetente. * Vonesat e gjata në shqyrtimin e kërkesave për licencim, vazhdimin dhe rinovimin e licencave, të cilat kanë penguar funksionimin normal të kompanive. * Zvarritja e procedurave për shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore dhe zonave ku zhvillohet aktiviteti minerar. * Burokracia e tepërt, procedurat e ndërlikuara administrative dhe mungesa e koordinimit ndërinstitucional. * Rritja e importeve të materialeve ndërtimore, ndërkohë që prodhuesit vendorë përballen me barriera që cenojnë konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë financiare. * Nevoja për zbatimin e standardeve mjedisore në mënyrë të drejtë, profesionale dhe të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.
Kërkesat e përbashkëta të sektorit privat
Lidhja e Bizneseve të Kosovës, Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe Shoqata e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet përgjegjëse:
* Harmonizimin e legjislacionit dhe krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm koordinues ndërmjet institucioneve relevante. * Përfundimin me prioritet të procedurave të licencimit dhe rinovimit të licencave për operatorët ekonomikë. * Krijimin e sigurisë juridike për investitorët dhe zhbllokimin e procedurave për aktivitetet minerare dhe ndërtimore. * Thjeshtimin e procedurave administrative dhe respektimin e afateve ligjore për trajtimin e kërkesave të bizneseve. * Hartimin e politikave që mbështesin prodhimin vendor dhe mbrojnë sektorët strategjikë të ekonomisë së Kosovës. * Krijimin e një platforme të përhershme konsultative ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat. * Rishikimin e vendimeve të caktuara komunale të cilat, pa harmonizim me institucionet kompetente, kanë krijuar pengesa për funksionimin ose vazhdimin e aktivitetit të operatorëve ekonomikë.
Përfaqësuesit e sektorit privat theksojnë se këto kërkesa nuk synojnë privilegje, por krijimin e një sistemi transparent, funksional dhe të drejtë, ku bizneset të kenë siguri juridike, mundësi për zhvillim dhe kushte të barabarta për investime.
Është koha që të përfundojë praktika e zvarritjeve institucionale dhe e proceseve të përsëritura pa rezultate konkrete. Zhvillimi ekonomik i Kosovës kërkon partneritet real ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.
Bizneset duhet të jenë partner aktiv në hartimin e politikave ekonomike dhe jo vetëm bartëse të pasojave nga mungesa e koordinimit institucional.