Policia e Kosovës ka sqaruar se raportimet e fundit, kryesisht në mediat serbe, sipas të cilave persona të maskuar shqiptarë kanë vendosur pengesa dhe kanë qëlluar ndaj Policisë serbe në zonën Madljika, nuk përputhen me të dhënat zyrtare.
PK njofton se ka verifikuar të gjitha informacionet përmes masave institucionale dhe nuk ka gjetur asnjë incident të tillë në territorin e Kosovës. Po ashtu, për veprimet e marra është njoftuar edhe KFOR-i, dhe patrullimet e përbashkëta në brezin kufitar vazhdojnë normalisht.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës (PK) sqaron dhe njëherit njofton opinionin publik lidhur me disa dezinformata të publikuara kryesisht në çarqe e media serbe. Pa verifikim paraprak, janë publikuar shkrime se kinse disa persona shqiptarë të maskuar vendosën pengesa në rrugë, pastaj qëlluan me 10 plumba ndaj policisë serbe në zonën Madljika, siç e quajnë në Zonën Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore.
Policia e Kosovës sqaron me përgjegjësi të plotë institucionale se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore, duke përdorur të gjitha format verifikuese institucionale, duke rezultuar se nuk ka dëshmi apo të dhëna zyrtare për ndonjë rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar të asaj zone.
