Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila njoftoi se ndërhyrja ka bërë të mundur shpëtimin e organit të syrit.
Ministrja i uroi Erjonit shërim të shpejtë, duke theksuar se, pavarësisht suksesit të operacionit, rrugëtimi drejt rikuperimit të shikimit do të vijojë me durim dhe besim.
“Erjon Vishkulli, e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e cila e ka shpëtuar organin e syrit të djalit.
Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare dhe me mirënjohje të thellë, falënderova profesor Stanislao Rizzon, i cili me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore kreu me sukses ndërhyrjen, ndërkohë që qeveria miratoi po sot edhe mbështetjen financiare për Erjonin.


