Donald Trump, ndonëse në rënie popullariteti në SHBA, rezulton të jetë lideri më me ndikim në Evropë. Ndërsa në vendin e tij po humbet terren për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe politikave të tij kundër emigracionit (ai vetë e pranoi për herë të parë dy javë më parë: “sondazhet e mia kanë rënë pak”), ai kryeson listën e personave më të fuqishëm në kontinentin e vjetër, të hartuar nga Politico Europe. Në këtë listë, e përgatitur çdo vit nga gazeta në bashkëpunim me institutin Public First, vendi i parë i takon biznesmenit që, duket qartë, nuk ka nevojë të ulet në tryezat e Brukselit për t’i ndikuar ato: askush tjetër nuk do të kishte ndikuar më shumë se ai në vendimet e marra në kryeqytetet europiane. Si të thuash, Europa shihet më shumë si e ekspozuar ndaj agjendave të të tjerëve sesa si një aktor i aftë të ndikojë pjesën tjetër të botës.
Sondazhi online, që përfshiu mbi 10 mijë të anketuar nga SHBA, Kanadaja dhe tre ekonomitë më të mëdha europiane, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, tregon se europianët ndajnë mendimin e Trump se liderët e tyre janë të dobët dhe e konsiderojnë presidentin amerikan më vendimtar.
Paradoksi është se personi i konsideruar më i fuqishmi në politikën europiume… nuk është evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, renditet vetëm e shtata.
E dyta pas Trump, por e para ndër europianët, është kryeministrja daneze Mette Frederiksen, socialdemokrate me qëndrime të djathta për menaxhimin e kufijve: ajo mbështet ndalimin e kërkuesve të azilit dhe kthimet e përshpejtuara, në linjë me kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila renditet e nënta, pas sekretarit të NATO-s Mark Rutte, por para kryeministrit britanik Keir Starmer.
