Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar të papranueshme kërkesën e të dënuarit Enver Sekiraqa, i cili kishte pretenduar për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me Kushtetutë, në vendimin e Gjykatës Supreme të 1 korrikut 2024, me të cilin ishte konfirmuar vendimi i Gjykatës së Apelit për caktimin e masës së paraburgimit.
Kushtetuesja thekson se Sekiraqa ishte dënuar nga Themelorja me 25 vjet burgim për “Shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë”. Aty thuhet se ditën e njëjtë, Gjykata Themelore nxori edhe aktvendim me të cilin Sekiraqa u lirua të mbrohet në liri.
Ndaj aktvendimit të Themelores, Prokuroria kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit e cila ndryshoi vendimin e Themelores, duke ia caktuar masën e paraburgimit deri në shqiptim të aktgjykimit të formës së prerë.
Kurse, Gjykata Supreme në procedurën ankimore e vërtetoi aktvendimin e Gjykatës së Apelit në tërësi.
Sipas Kushtetueses, Sekiraqa paraqiti kërkesë në Gjykatë duke deklaruar se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i shkel të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet 29 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
“Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës konsideron se shkelja e nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së ndodhi për shkak se Prokuroria, sipas dispozitës ligjore, nuk kishte të drejtë të ankohej ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin iu ndërpre masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të GJEDNJ-së, thuhet se parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata Supreme nuk e ka arsyetuar vendimin e saj siç kërkohet nga nenet e lartpërmendura, si dhe se kishte shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe se ligji ishte zbatuar në mënyrë arbitrare.
Gjykata Kushtetuese pas analizimit të pretendimeve të Sekiraqës duke zbatuar parimet dhe standardet si të praktikës së saj ashtu edhe të praktikës së GJEDNJ-së, arriti në përfundimin se pretendimet për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të GJEDNJ-së janë të pabazuara.
“…duke pasur parasysh faktin se gjykata, kur vendos një dënim me burgim me një vendim jo të formës së prerë, mund t’ia caktojë të pandehurit, gjegjësisht t’ia zgjasë paraburgimin, nëse kjo është e nevojshme për zhvillimin e papenguar të procedurave, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat që lidhen me kryerjen e veprës penale, në kuptimin e dispozitave të nenit 366 të KPP-së, dhe e ka arsyetuar në detaje në lidhje me kushtet e përcaktuara nga neni 184 i KPP-së”, thotë Kushtetuesja.
Gjykata po ashtu thekson se gjithashtu i zbatoi parimet edhe në grupin e pretendimeve në lidhje me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të GJEDNJ-së, dhe arriti në përfundimin se edhe ato pretendime të parashtruesit të kërkesës janë të pabazuara.
Andaj, Gjykata Kushtetuese konkludoi se: (I) pretendimet e Sekiraqës për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së, cilësohen si pretendime (ii) “me mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, (II) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në tërësi, konsiderohen të jenë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”.