Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i janë grumbulluar disa lëndë nga të cilat pritet që të kuptohet epilogu i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që s’po i shihet fundi edhe pas rreth pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve. PDK dhe LDK në fillim të këtij muaji çuan lëndët e tyre në këtë gjykatë, ndërsa dje numrin e shtoi edhe presidentja e vendit, e cila kërkoi përgjigje se çfarë ndodh pas datës 26 korrik – afati i fundit për konstituim dhënë nga Kushtetuesja në një aktgjykim të qershorit.
Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat kanë dorëzuar lëndë kryesisht për vlerësim të kushtetutshmërisë në lidhje me votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë dhe kushtetutshmërinë në seancat e mbajtura në Kuvendin e Kosovës pas nxjerrjes së aktgjykimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese në qershor.
“Kërkesat e reja përkitazi me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës janë duke u shqyrtuar”, tha Gjykata Kushtetuese në përgjigje për Expres.
Ndërkohë, në pyetjen se çka pritet të ndodhë pas afatit 30-ditor që Kushtetuesja ia dha deputetëve për konstituimin e Kuvendit e i cili pritet të skadojë pas tri ditësh, Kushtetuesja referoi të shikohej aktgjykimi i fundit.
“Gjykata përfundimisht ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe në përputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij”, thuhet në aktgjykim.
Më 3 korrik, Partia Demokratike e Kosovës kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kontestoi kërkesën e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë, hedhjen në votim të këtij Komisioni, vetë votimin e Komisionit, si dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
