Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka pranuar iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve dhe shesheve, duke e shfuqizuar atë vendim.
Iniciativa ishte dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare (LNÇ) e Tetovës në shkurt të këtij viti. Ankuesi Darijan Sotirovski vlerësoi se vendimi i vitit 2007 ishte marrë në kundërshtim me ligjin, duke zëvendësuar emrat e figurave maqedonase dhe të koalicionit antifashist.
Me vendimin e vitit 2007, Komuna e Tetovës kishte emërtuar rrugë dhe sheshe me emra si “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”, emërtime që janë përdorur nga autoritetet komunale deri më sot.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, i cili e ka kritikuar ashpër vendimin, duke e cilësuar atë si një hap prapa për të arriturat e shqiptarëve pas vitit 2001.
“Gjykata destabilizuese e Maqedonisë së Veriut anuloi emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, të miratuara që në vitin 2007, duke rikthyer emërtimet e vjetra. Ju pengojnë emrat si sheshi ‘Iliria’, ‘Dëshmorët e Kombit’, ‘Dervish Cara’, ‘Kongresi i Manastirit’ etj.”, ka shkruar Ademi. Ai ka shtuar se ky është “fytyra e vërtetë e pushtetit të sotëm”, duke aluduar edhe në rikthimin e emërtimeve të vjetra të rrugëve. “Le t’i gëzojnë tash përsëri emrat si Marshali Tito, se edhe ashtu poezi i kanë kushtuar”, është shprehur Ademi. Reagim kanë lëshuar edhe vetë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) duke e cilësuar atë vendim si pjesë të një procesi më të gjerë të, siç tha partia, “çmontimit të arritjeve politike të shqiptarëve”. Sipas BDI-së, rikthimi i emrit “Marshal Tito” në sheshin qendror të Tetovës nuk është rast i izoluar, por dëshmi se “institucionet e shtetit po përdoren për të fshirë gjurmët e barazisë së fituar me dekada përpjekje politike”. Ndaj vendimit ka reaguar edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i cili e ka cilësuar atë si “ditë të zezë për shqiptarët”. Osmani tha se shfuqizimi i emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në Tetovë përbën “një tjetër goditje ndaj identitetit shqiptar” dhe akuzoi kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, si dhe koalicionin VLEN për përgjegjësi politike, duke shtuar se “shqiptarët nuk do ta harrojnë”.