Bedri Hamza po e bën një gjë që në politikën kosovare pothuajse konsiderohet anomali: po largohet nga karrigia pa pasur nevojë me ia marrë dikush me zor.
Hamzën mundesh me e akuzu për shumë gjëra. Për mungesë agresiviteti politik, për rezultate modeste zgjedhore, për faktin që PDK-ja nuk arriti të bëhet alternativë serioze për ta marrë pushtetin. Mirëpo, askush nuk mund të thotë që ai e mbajti peng partinë për shkak të ambicieve personale.
Përkundrazi, Hamzës i ra me marrë pjesë në dy palë zgjedhje më shumë sesa që e kishte menduar. Dhe, sapo e kuptoi që qëndrimi i tij i mëtejshëm nuk do ta ndihmonte PDK-në, vendosi të largohej.
Dy vitet e fundit kanë qenë të tmerrshme për partitë opozitare. Tri palë zgjedhje të inxhinieruara nga partia në pushtet, të tria në kushte të pafavorshme për opozitën, e posaçërisht për PDK-në, subjekt ky që duhet ta balancojë aktivitetin e vet politik në mes të Kosovës dhe Hagës.
Hamza e mori PDK-në pas katastrofës elektorale të vitit 2021. E ndali rënien, shënoi një rritje modeste dhe e shpëtoi partinë nga nënshtrimi i plotë ndaj partisë në pushtet.
Por pastaj PDK-ja ngeci. Në dy palë zgjedhjet e tjera nuk pati ndonjë përparim domethënës.
Dhe tash, me largimin e Hamzës, pyetja nuk është më pse po largohet ai, por kush po vjen pas tij. Dhe, mbi të gjitha, a ka dikush në PDK që mund ta nxjerrë këtë parti prej vendnumërimit?
Hamza, në fakt, nuk ka qenë kurrë politikan me ambicie të shfrenuara personale. Zakonisht ai ka fituar pozita, jo duke i kërkuar vetë, por duke ia kërkuar të tjerët. Kështu kishte ndodhur edhe me pozitën e kryetarit të PDK-së, edhe me atë të kryetarit të Mitrovicës, e edhe me pozitat ministrore që i ka pasur.
Sa i përket marrëveshjes së fundit me LVV-në për të zgjedhur një presidente të përbashkët, këtë do ta gjykojmë pas një kohe. Është herët të flasim nëse ia ka vlejt. Ajo çka ia ka vlejt është ndalja e trendit absurd të zgjedhjeve.
Tash, me largimin e Hamzës, duket që në PDK janë rritur apetitet organike të disa figurave të kësaj partie për ta trashëguar atë pozitë.
Sipas burimeve të Nacionales, tashmë në PDK kanë informata që janë tri figura që pritet t’i futen garës për kryetar, garë e cila do të mbikëqyret nga Vlora Çitaku.
Bëhet fjalë për Enver Hoxhajn, Uran Ismailin dhe Përparim Grudën. Renditja nuk është bërë sipas rëndësisë :).
Hoxhaj ka kohë që është duke bërë përpjekje që ta rimarrë kontrollin e partisë, të cilin e kishte fillimisht kur Thaçi e Veseli u dorëzuan në Hagë. Rezultati zgjedhor i PDK-së, nën Hoxhajn, nuk ka qenë shumë spektakolar, por Hoxhaj mund të arsyetohet se ato ishin ditët më të vështira të PDK-së.

