Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të hapë punimet e sesionit të 81-të më 8 shtator.
Përfaqësues politikë nga të gjithë bota do të mblidhen në Nju Jork, ku mes tyre pritet të ketë edhe nga Kosova.
Nga Qeveria e Kosovës nuk treguan për KosovaPress nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të udhëtojë në SHBA për ta përfaqësuar Kosovën. Megjithatë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë nevojën që Kosova të përfaqësohet nga institucione të formuara dhe me mandat të plotë.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se për Kosovën është veçanërisht e rëndësishme të ketë përfaqësues me legjitimitet të plotë, duke pasur parasysh edhe faktin se vendi nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, porse takimet mund të mbahen në margjina të Asamblesë.
Sipas tij, përfaqësimi nga ushtrues detyre i institucioneve kryesore, mund ta dobësojë pozitën e Kosovës në takimet ndërkombëtare.
