Për mos ekzekutimin e pagës as në ditën e 14 të muajit nëntor për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Juristja e medias, Flutura Kusari e ka drejtuar gjithë përgjegjësinë mbi kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që sipas saj po bëhet vetëm për inate politike meqenëse nuk pati mundësinë ta bëjë gjithë RTK-në të nënshtrohet ndaj pushtetit të tij.
Kusari thotë se Qeveria në detyrë po tenton ta përdor RTK si mjet politik për ta bindur opozitën për të votuar komisionet, por që këtu thekson se zgjidhja e buxhetit për RTK-në përmes opozitës është vec një propagandë e LVV-së.
700 punëtorët e RTK-së përveç që nuk po marrin paga, ata nuk kanë as kushtet e punës e të cilat Kusari thotë se vendi ku ata punojnë është mjerim.
“Ajo që po shohim tani, ku kemi 700 punëtorë dhe rrjedhimisht 700 familje ende pa marrë pagat mujore, është vazhdimësi e ngecjes që Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje i bëjnë RTK-së. Kjo është vetëm një problem, por RTK-ja është duke u përballur me shumë probleme të tjera. Gjashtë dekada të fundit kanë dëshmuar degradimin e këtij institucioni, duke filluar nga mosgjetja e zgjidhjes për pronësinë. Pra, RTK-ja nuk ka pronë të vetën, dhe nëse shkoni dhe shikoni kushtet në të cilat punojnë gazetarët, do të shihni kushte të mjerueshme. Është turp të shkojë njeri në një institucion publik dhe të shohë kushte kaq të rënda pune. Pastaj, është edhe problemi i financimit dhe buxhetit, për të cilin duhet të gjendet një zgjidhje afatgjatë që mundëson edhe pavarësinë e saj. RTK-ja nuk ka ligj që e rregullon, e mos të flasim për menaxhmentin, i cili ka njerëz që janë ushtrues detyre dhe që kanë përfunduar mandatin, por janë aty për arsye të bindjeve politike të LVV-së. Kjo që po shohim në RTK është një ngecje e madhe e këtij institucioni, që ka një rol të jashtëzakonshëm për informimin e publikut”.
Kusari e ka theksuar se opozita nuk ia ka për borxh Lëvizjes Vetëvendosje t’ia sigurojë votat as për Qeverinë, as për Kuvendin e as për buxhetet, me ç’rast thekson se Kurti duhet të marrë po të njëjtin vendim sikurse të muajit gusht përmes së cilit ishin ekzekutuar pagat për punëtorët po të këtij insitucuoni
“Një element tjetër është përdorimi i RTK-së për arsye politike, si mjet politik nga ana e Kryeministrit Kurti dhe LVV-së. Jemi në një situatë politike ku LVV-ja nuk ka vota as për të formuar Qeverinë dhe as për të konstituuar Kuvendin e Kosovës në mënyrë të plotë. Çfarë po bëjnë ata? Po kërkojnë, çdo gjë që mund të përdorin si mjet për të shantazhuar partitë opozitare. Nuk ka asnjë detyrim për partitë opozitare të mbështesin LVV-në, as për kryeministrin, as për Parlamentin, as për buxhetin e RTK-së. Kushdo që thotë se buxheti i RTK-së duhet të gjejë zgjidhje përmes opozitës është thjesht vazhdimësi e propagandës që ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje. Ajo që duhet të ndodhi është që në gusht, Kryeministri të kishte nënshkruar një vendim që e lejonte transferimin e mjeteve, dhe ky vendim duhet të përsëritet tani. Kam dëgjuar se po bëhet fjalë për ndarjen e pushteteve dhe se Kryeministri Kurti nuk do të ndërhyjë në Parlament. Pyetja ime është: Çfarë ka ndodhur që nga gushti deri tani, që i njëjti vendim nuk po merret? Pse ishte i ligjshëm në gusht dhe tani nuk është?”, deklaroi Kusari në një intervistë për Ekonomia Online.
Gjithë kjo Kusari thotë se do të ndikojë edhe në indeksin ndërkombëtar për lirinë e medias, i cili raport thotë se nuk duhet t’i habisë akterët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ka edhe një element tjetër: shumë organizata ia kanë bërë të qartë zyrës së Kryeministrit se çfarë po ndodh me RTK-në dhe se kjo do të ketë ndikim në lirinë e medias. Më pas, nuk duhet të habiten ata nga LVV-ja kur në muajin maj dalin rezultatet e indekseve ndërkombëtare dhe ne kritikoheni ndërkombëtarisht, sepse në mënyrë aktive dhe me strategji shumë të qarta dhe të vetëdijshme, ata janë duke ndikuar që liria e medias të cenohet në baza ditore, qoftë përmes RTK-së, apo mediave të tjera”, tha Kusari.
