Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se kanë nisur kontrolle intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit.
Përmes një njoftimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se kontrollet po zhvillohen bazuar në gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), me qëllim verifikimin e përbërjes reale të produkteve që dalin në treg.
“Përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, ose deklarimi i pasaktë i përbërjes së produkteve, përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mashtrim të konsumatorit”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka paralajmëruar se asnjë operator ekonomik nuk do të lejohet të përfitojë duke fshehur përbërjen reale të produkteve.
“Asnjë operator ekonomik nuk do të lejohet të përfitojë në kurriz të qytetarëve duke fshehur përbërjen reale të produkteve ose duke i paraqitur ato ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë. Mbrojtja e konsumatorit është detyrim ligjor dhe prioritet institucional”, thuhet në njoftimin e saj.



