Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mirëpriti Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka Pula, së bashku me nënkryetarin e Akademisë, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe Sekretarin Shkencor, akademik Bardh Rugova.
Shiroka Pula e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe e falënderoi për pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e AShAK-ut. Ajo e njoftoi kryeministrin për punën, planet dhe prioritetet e institucionit që drejton, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të AShAK-ut me institucionet shtetërore për nevojat dhe interesat e vendit, përmes ekspertizës që ofron Akademia.
