Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot Kryemjeshtrin Driton Kuka dhe ekipin e xhudos, me të cilët ka diskutuar për sukseset e fundit të sportistëve kosovarë dhe për të ardhmen e sportit në vend.
Kurti ka përgëzuar ekipin për rezultatet e arritura në Lojërat Mesdhetare në Taranto, ku Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj u stolisën me medalje të bronzta.
“Pas secilës prej tyre qëndrojnë vite pune, disipline dhe një sistem që ka dëshmuar se rezultatet e mëdha nuk vijnë rastësisht”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë takimit, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për rezultatet dhe analizat e para pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare, si dhe për hapat që duhet të ndërmerren në katër vitet e ardhshme deri në organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
