Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të premten, një ditë pas mbylljes së qumështores Vita, të cilës iu vu dryni nga pronarët, ditën kur te kjo fabrikë zbritën inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari për të inspektuar, siç thanë, standardet e sigurisë ushqimore.
Shefi në detyrë i qeverisë deklaroi se është e domosdoshme që të bëhen sa më shumë analiza të ushqimeve të cilat u servohen qytetarëve të Kosovës.
Ai i bëri këto komente pas ngjarjes ku u shpallën 556 përfituesit e Skemës së Granteve për Investime – LOT 1, në kuadër të projektit “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve”.
“Për Qeverinë e Kosovës, bujqësia nuk është vetëm një sektor tradicional, por është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit dhe rritjes ekonomike, sigurisë ushqimore dhe ekonomisë prodhuese. Çdo investim në fermerët dhe prodhuesit tanë është një investim në një Kosovë që prodhon më shumë, përpunon, eksporton dhe krijon më shumë vende pune. Për neve bujqësia është edhe çështje e sovranitetit ushqimor. Çdo fermë që rrit prodhimin vendor e bën Kosovën më konkurruese dhe më pak të varur nga importet, dhe më të përgatitur për sfidat ekonomike në të ardhmen… Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Që të bëjmë sa më parë, mundësisht aspak, analiza pacientësh në spitale, është e nevojshme që të kemi sa më shumë dhe gjithnjë e më shumë analiza ushqimesh që na servohen”, tha ai.
