Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka akuzuar Serbinë se sikurse në zgjedhjet parlamentare edhe në këto lokale po ndërhyn në procesin zgjedhor.
Ai renditi këtu edhe deklarimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si “dhe veprimet e vazhdueshme të akterëve shtetërorë dhe joshtetërorë të Serbisë, që nuk kanë se si të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin zgjedhor komunal të tetorit në Republikën e Kosovës”.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë siç bëri së fundmi Millosh Vuçeviq dhe siç ka bërë edhe vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë”, tha Kurti.
Duke cituar raportin e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e shkurtit në Kosovë, Kurti tha se ndërhyrja e Serbisë në Kosovë është më e rëndë se ajo e Rusisë në zgjedhjet në Europë.
