Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës shefin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, të cilin e falënderoi për kontributin dhe shërbimin.
Në takim u vlerësua roli i EULEX-it në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për policinë, shërbimin korrektues dhe forenzikën, si dhe angazhimin në çështje me rëndësi të veçantë për qytetarët, përfshirë trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e viktimave.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se, në mandatin e ri, reforma në drejtësi mbetet prioritet thelbësor, me qëllim të rritjes së efikasitetit, llogaridhënies, pavarësisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ai nënvizoi rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, jo vetëm si modernizim teknik, por si instrument për transparencë, menaxhim më të mirë të lëndëve, ulje të vonesave dhe forcim të përgjegjësisë institucionale.
