Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, duke e cilësuar atë si një figurë qendrore të historisë politike shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit nga komunizmi në demokraci.
Kurti ka kujtuar dy takimet që kishte pasur me Nanon, të cilat, siç thotë ai, i kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesë.
“Herën e parë e takova në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë u kthye natyrshëm në temë të bisedës sonë njohëse,” ka shkruar Kurti.
Sipas tij, takimi i dytë me Nanon ndodhi pasi ky i fundit ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë. “Më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë, dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal,” ka treguar ai.
